Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, mori pjesë në shënimin e kësaj dite në një event të organizuar nga Ministria e Dixhitalizimit dhe Administratës Publike.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla vlerësoi shërbyesit civilë si themelin e padukshëm të Republikës, të cilët me integritet, përgjegjësi dhe përkushtim e mbajnë në lëvizje jetën institucionale dhe e bëjnë shërbimin të prekshëm e real për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Shteti nuk është ndërtesa, as vula, as sistemi. Është njeriu që zgjohet herët dhe e mban në këmbë gjithë këtë mekanizëm që shpesh merret si i mirëqenë”, tha Gërvalla.
Duke u uruar të gjithë shërbyesve publikë këtë ditë, ajo shprehu mirënjohje të thellë për secilin prej tyre që me karakter, dinjitet, punë të ndershme dhe përkushtim të përditshëm e mbajnë shtetin në këmbë dhe e bëjnë shërbimin publik një akt përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe vetë Republikës.