Në kuadër të vizitave në institucionet e drejtësisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla ka vizituar edhe Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është pritur nga Kryetari i Gjykatës, z. Ngadhnjim Arrni.
Gjatë takimit, Kryetari Arrni e njoftoi Ministren Gërvalla me organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, strukturën organizative si dhe punën e departamenteve dhe degëve të gjykatës.
Po ashtu u diskutua edhe për funksionimin e sistemit gjyqësor, bashkëpunimin ndërinstitucional, sfidat me të cilat përballen institucionet e drejtësisë, efikasitetin në trajtimin e lëndëve, avancimin e kushteve të punës dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla tha se forcimi i sistemit të drejtësisë mbetet një nga prioritetet kryesore institucionale, duke vlerësuar se një drejtësi profesionale, efikase dhe e besueshme është thelbësore për sundimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve para ligjit.
Ajo ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të mbështetur institucionet gjyqësore në funksion të avancimit të reformave dhe rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në sistemin e drejtësisë.