Skip to content
Ministrja Gërvalla vizitoi institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Komunën e Mitrovicës

Ministrja Gërvalla vizitoi institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Komunën e Mitrovicës

Prishtinë, 17/06/2026

Në kuadër të vizitës në Komunën e Mitrovicës, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot ka vizituar Shërbimin Sprovues, Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas dhe në Qendrën e Paraburgimit në këtë komunë.

Nga këto institucione kyçe të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, ajo shprehu se drejtësia nuk është një proces abstrakt, por një zinxhir që varet nga secila hallkë: që nga mbështetja juridike për qytetarët, te menaxhimi i rasteve në faza të ndryshme të procedurës, e deri te ekzekutimi i masave të paraburgimit.

“Bashkëbisedimi me stafin e këtyre institucioneve zbulon një realitet që shpesh nuk shihet nga jashtë, punë e vazhdueshme në kushte jo gjithmonë të lehta, përgjegjësi të larta dhe një ngarkesë që kërkon disiplinë institucionale dhe njerëzore njëkohësisht”, tha Ministrja Gërvalla.

Ajo theksoi se besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërtohet pikërisht përmes punës së përditshme të këtyre strukturave.

“Nëse një shtet matet diku, matet pikërisht këtu: jo në retorikë, por në mënyrën si trajtohet qytetari kur hyn në kontakt me sistemin. Çdo vonesë, çdo mangësi, çdo sukses apo çdo punë e mirë në këto pika kthehet drejtpërdrejt në besim ose mosbesim ndaj institucioneve”, u shpreh Ministrja.

Në përmbyllje, Ministrja Gërvalla ritheksoi se forcimi i këtyre strukturave nuk është thjesht çështje teknike, por zgjedhje politike dhe shtetformuese. Ajo deklaroi angazhimin e saj të palëkundur që drejtësia të forcohet aty ku matet më së shumti, çdo ditë e fuqishëm, pa kompromis dhe me vendosmëri të plotë në zbatim.

Skip to content