Në kuadër të vizitës në Komunën e Ferizajt, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar edhe Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime”.
Ministrja Gërvalla së bashku me Drejtoreshën ekzekutive, znj. Sevdije Kasumi-Bunjaku, diskutoi për rolin jetik të qendrës “Shtëpia ime” në garantimin e mbrojtjes, sigurisë dhe mbështetjes për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Po ashtu u diskutua edhe për domosdoshmërinë e forcimit të vazhdueshëm të mekanizmave institucionalë të reagimit të shpejtë dhe koordinimit ndërinstitucional.
“Mbrojtja e grave dhe fëmijëve nga dhuna nuk është as politikë publike, as deklaratë angazhimi. Është vijë e kuqe e shtetit. Obligim i pakushtëzuar institucional dhe moral, që nuk negociohet dhe nuk relativizohet”, theksoi ministrja Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla vlerësoi punën dhe përkushtimin e stafit, duke theksuar se “kjo qendër përfaqëson një hallkë thelbësore të zinxhirit të mbrojtjes institucionale, ku profesionalizmi dhe përkushtimi njerëzor ndërthuren për të ofruar jo vetëm strehim të sigurt, por edhe dinjitet, stabilitet dhe mundësi reale për rikthim të sigurt në jetën shoqërore”.
Kjo vizitë, sipas Ministres Gërvalla riafirmon përgjegjësinë e pandashme të shtetit për të forcuar çdo mekanizëm që garanton mbrojtje efektive dhe reagim të menjëhershëm ndaj çdo forme dhune.
“Republika jonë qëndron qartë dhe pa ekuivok, përballë dhunës nuk ka heshtje, nuk ka tolerancë dhe nuk ka kthim pas”, u shpreh ministrja Gërvalla