Skip to content
Ministrja Gërvalla viziton lokacionin e varrezës masive në Kalludër: Çdo hap drejt së vërtetës është një hap drejt drejtësisë

Ministrja Gërvalla viziton lokacionin e varrezës masive në Kalludër: Çdo hap drejt së vërtetës është një hap drejt drejtësisë

Prishtinë, 29/07/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar sot lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku është konfirmuar prania e një varreze masive.

Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla u informua nga afër për procesin e zhvilluar deri më tani dhe për hapat e ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve institucionale për zbardhjen e së vërtetës dhe trajtimin me seriozitet të plotë të çdo informacioni që lidhet me fatin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo theksoi se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë dhe se zbardhja e fatit të tyre përbën një obligim institucional, ligjor dhe moral.

“Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit mbetet një nga plagët më të rënda të luftës dhe një nga dëshmitë më të qarta të krimeve të kryera nga shteti gjenocidal serb. Përveç mijëra civilëve të pafajshëm, regjimi i atëhershëm serb shënjestroi qëllimisht edhe elitën intelektuale, akademike e profesionale të Kosovës, në përpjekje për të goditur vetë identitetin, kujtesën dhe të ardhmen e popullit tonë. Më pas, përmes zhvendosjes dhe fshehjes së trupave në varreza masive, u përpoq të fshinte gjurmët e këtyre krimeve. Por e vërteta nuk mund të varroset përgjithmonë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Sipas Ministres Gërvalla, çdo lokacion i ri që hetohet, çdo mbetje mortore që ekzaminohet dhe çdo identitet që rikthehet përbën një hap më pranë drejtësisë, të vërtetës historike dhe respektimit të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për një proces mjeko-ligjor, por për rivendosjen e së vërtetës historike, përballjen me krimet e së kaluarës dhe respektimin e dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre”, tha Ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla theksoi se Republika e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e saj institucional deri në zbardhjen e fatit të secilit person të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Kujtesa, e vërteta dhe drejtësia do të mbeten udhërrëfyesit tanë deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur”, tha ajo.

Foto Galeria

Skip to content