Skip to content
Ministrja Gërvalla:Reforma në drejtësi dhe bashkëpunimi juridik me Austrinë, në funksion të forcimit të shtetit ligjor

Ministrja Gërvalla:Reforma në drejtësi dhe bashkëpunimi juridik me Austrinë, në funksion të forcimit të shtetit ligjor

Prishtinë, 22/10/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, priti në takim Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë, forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe avancimin e reformave institucionale.

Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi si një proces thelbësor për transformimin e sistemit të drejtësisë, forcimin e integritetit institucional dhe garantimin e përgjegjësisë para ligjit.

“Themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë, jetësimi i procesit të Vetingut, avancimi i pakos së projektligjeve të Reformës në Drejtësi dhe finalizimi i legjislacionit civil janë pjesë thelbësore e këtij angazhimi të përditshëm, për të ndërtuar institucione më të forta, për të garantuar llogaridhënie reale dhe për të dëshmuar se askush, pavarësisht emrit, pozitës apo pushtetit, nuk qëndron mbi ligjin”, tha Ministrja Gërvalla.

Në takim, Ministrja Gërvalla foli për rëndësinë e finalizimit të Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale.

“Theksova edhe rëndësinë e finalizimit të Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e ekstradimit, ndihmës së ndërsjellë juridike dhe transferimit të personave të dënuar”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Tutje, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Austrinë si një partnere e rëndësishme e Republikës së Kosovës në avancimin e reformave dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.

“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona i shërben forcimit të kapaciteteve shtetërore, avancimit të reformave dhe konsolidimit të një sistemi drejtësie që garanton sundimin e ligjit, integritetin institucional dhe përgjegjësinë para ligjit”, tha Ministrja Gërvalla.

Foto Galeria

Skip to content