
Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu e shoqëruar nga Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, z. Michael Davenport dhe Zv. Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), z. Enver Krasniqi, kanë vizituar depon qendrore për asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara.
Ministrja Haxhiu dhe Ambasadori Davenport, janë njoftuar nga z. Krasniqi me kapacitetet dhe asetet e kësaj depoje e cila ka për qëllim administrimin më efikas të pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara.
Ministrja Haxhiu gjatë kësaj vizite të përbashkët, ka falënderuar Ambasadorin Davenport për përkrahjen e vazhdueshme që OSBE ka dhënë për AAPSK me qëllim të avancimit dhe ngritjes së efikasitetit në punë.
Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar gjatë këtij viti ka thelluar partneritetin me OSBE, konkretisht Seksioni i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar. Me këtë rast Ambasadori Davenport tha se Misioni të cilin ai udhëheq mbetet i përkushtuar për të ofruar mbështetje në aktivitetet të cilat kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë, rendit dhe ligjit.
Ministria e Drejtësisë është duke punuar në avancimin e projekteve të cilat kanë për qëllim luftimin e suksesshëm të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjë për të cilën konfiskimi i pasurisë së paligjshme mbetet ndër prioritetet e kësaj Qeverie, ku bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar vlerësohet shumë i rëndësishëm.