Skip to content
Ministrja Haxhiu diskutoi për përpjekjet në drejtim të parandalimit të dhunës në familje

Ministrja Haxhiu diskutoi për përpjekjet në drejtim të parandalimit të dhunës në familje

Prishtinë, 20/10/2021

“Dhuna ndaj grave, dhuna në familje dhe ajo në baza gjinore vazhdon të jetë fenomen shqetësues në shoqërinë tonë. Statistikat tregojnë që numri i rasteve të dhunës në familje vazhdon të jetë i lartë e në rritje. Janë shumë shqetësuese rastet e dhunës në familje që po përfundojnë në fatalitet, e për fat të keq si shoqëri nuk po arrijmë të shkëputemi prej tyre. Kemi detyrim qytetar e institucional të garantojmë jo vetëm të drejtën në jetë për secilën grua, por edhe të drejtën për të jetuar e lirë nga dhuna dhe me dinjitet” u shpreh ministrja Haxhiu.

Për të parandaluar sa më shumë këtë fenomen, ministrja Haxhiu, në mandatin e saj të ri, ka themeluar Mekanizmin e Grupit Ndër-Ministror kundër dhunës në familje, me qëllim të ndërmarrjes së nismave konkrete së bashku me institucionet përgjegjëse për të identifikuar e hetuar rastet e dhunës në familje, për t’i ndjekur penalisht dhe gjykuar kryerësit e dhunës, e për të garantuar të drejtën themelore të pronësisë të të mbijetuarve të dhunës në familje, e po ashtu duke ofruar mbështetje të cilësisë të lartë për qendrat për punë sociale, mbrojtësit e viktimave, OJQ-të e specializuara, etj.

Ministrja Haxhiu theksoi se, duke e mbajtur si pishtar Konventën e Stambollit, ka marrë përsipër që në këtë mandat qeverisës të plotësojë kuadrin ekzistues ligjor me synim përforcimi të mekanizmave hetues e ndëshkues për kryerësit e dhunës por edhe mbështetjen në anën tjetër për për viktimat. “Tashmë është ndryshuar ligji për ndihmë juridike falas dhe secila grua viktimë e dhunës përfiton shërbime juridike pa pagesë, pa iu dashur të konfirmojë se nuk ka të ardhura e pasuri. Përmes projektligjit të ri për kompensimin e viktimave të krimit synoj krijimin e një programi të kompensimit të viktimave të krimit funksional dhe të konsoliduar, duke u garantuar më shumë mbështetje viktimave të krimit përmes lehtësimit të procedurave për aplikim për kompensim, parashikimin e afateve më të gjata për viktimat për të kërkuar kompensim; dhe garantimin e mundësinë për kompensim të menjëhershëm për viktimat. Jemi duke zhvilluar analiza për të krijuar linjën e veçantë buxhetore për strehimoret, që të kenë stabilitetin financiar për të ofruar shërbim sa më të mirë”.

Duke vlerësuar lartë këtë konferencë të organizuar, ministrja Haxhiu tha që me rëndësi të veçantë që debati për këtë fenomen të jetë sa më prezent gjithandej, duke e cilësuar si një nga mënyrat ku shpresojmë të mbërrijmë të jemi një shoqëri e çliruar nga dhuna në familje, prandaj duke e pasur të qartë rëndësinë e kësaj Ministria e Drejtësisë vijon të bëjë fushata sensibilizuese kundër dhunës.

Në fund, ministrja e bëri të qartë që tashmë është në vijim e sipër hartimi i Strategjisë për mbrojtje nga dhuna dhe planit të saj të veprimit 2022-2026, i cili mbetet një angazhim i rëndësishëm që Grupi Punues po evidenton sfidat me të cilat po përballen institucionet dhe identifikon aktivitetet konkrete qe do të parandalojnë rastet e dhunës si dhe përmirësojnë përgjigjen institucionale të dhunës ndaj grave.

Nga ana tjetër, Zëvendësministrja e Drejtësisë, njëherit Koordinatorja Nacionale Kundër Dhunës në Familje, Dr. Nita Shala duke theksuar rëndësinë e kësaj çështje ka thënë se është punuar intenzivisht drejt identifikimit të situatës lidhur me dhunën në familje dhe sfidave me të cilat përballen të mbijetuarat por edhe institucionet përgjegjëse.

Sipas Shalës, Grupi Punues, i përbërë nga përfaqësues institucionesh përgjegjëse, ka hartuar një draft të parë pune të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit dhe aktualisht po vijojnë diskutimet me akterë të ndryshëm për të përmirësuar e plotësuar këtë version të Strategjisë e cila ka vizion një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllimi është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna, të mbrohet dhe riintegrohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë.

Zëvendësministrja Shala shtoi se, duke patur objektiv përmirësimin e përgjigjes institucionale dhe harmonizimin gjithnjë e më tepër të praktikave me standardet ndërkombëtare, janë dakorduar katër objektivat strategjikë: Identifikimi dhe parandalimi i dhunës, nëpërmjet edukimit dhe vetëdijesimit, avancimi dhe harmonizimi i politikave publike me standardet ndërkombëtare , fuqizimi institucional për mbrojtje dhe trajtim të viktimave, rehabilitimi dhe riintegrimi i qëndrueshëm i viktimave.

Zëvendësministrja Shala në fund të fjalës së saj tha se mbetën të angazhuar në finalizimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit përmes së cilës synohet përmirësimi i përgjigjes institucionale dhe harmonizimi gjithnjë e më tepër i praktikave me standardet ndërkombëtare.

Skip to content