
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se institucionet e Republikës së Kosovës për herë të parë kanë marrë përsipër përgjegjësitë që kanë në raport me adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore që dalin nga Konventa e Stambollit.
Ajo kërkoi rol aktiv edhe të institucioneve të tjera për pavarësinë ekonomike, edukimin e vajzave dhe grave por edhe për hetim dhe dënim të akteve që shkaktojnë dhunë.
Ministrja Haxhiu tutje tregoi për hapat që janë ndërmarrë në zbatimin e Konventës së Stambollit duke përmendur kështu miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me bazë Gjinore; hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalim dhe Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026; hartimin e Protokollin shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, hartimin e kurrikulës dhe programeve për kryerësit e dhunës në familje si dhe rritjen e mbështetjes financiare për shërbimet e specializuara mbështetëse.
Ministrja Haxhiu potencoi se bazuar në Ligjin e ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur 11 udhëzime administrative, të gjitha në frymën e Konventës së Stambollit.