
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka uruar Ambasadorin britanik për misionin e tij diplomatik në Kosovë. Po ashtu ka falënderuar përzemërsisht Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer ndaj Republikës së Kosovës.
Ministrja Haxhiu ka informuar Ambasadorin Hargreaves rreth angazhimeve të Ministrisë së Drejtësisë, prioritetet dhe rezultatet e arritura gjatë këtij mandati qeverisës.
Reforma në sistemin e drejtësisë, sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, fuqizimi i shërbimeve sociale dhe familjare, adresimi i krimeve të luftës, ishin disa nga temat qendrore të këtij takimi.
Të dy palët shprehën vullnetin e palëkundur në bashkëpunim të vazhdueshëm, për të thelluar çdo herë e më shumë aleancën ndërmjet dy vendeve, dhe për t’i kontribuar edhe më tej fuqizimit të institucioneve në Republikën e Kosovës.