Ministrja Haxhiu, së bashku me zv.Ministren dhe Koordinatoren nacionale kundër dhunës në familje, znj.Nita Shala, vizituan Komunën e Ferizajt, me çrast u pritën nga kryetari i Komunës, z.Agim Aliu.
Në këtë takim, u diskutua për përgjegjësitë institucionale kundrejt dhunës në familje, masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren në mënyrë që institucionet të jenë në mbrojtje dhe në mbështetje të viktimave përmes koordinimit institicional.
Me theks të veçantë në këtë takim u diskutua për nevojën e takimeve të rregullta të mekanizmit koordinues lokal, mbështetjen financiare për strehimoret, pavarësinë ekonomike të grave, fondi emergjent.
Ministrja Haxhiu dhe kryetari Aliu, takimin e vazhduan me përfaqësuesit e Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje, me të cilët diskutuan për rolin dhe funksionimin e këtij mekanizmi si dhe adresimi i dhunës në familje në Komunën e Ferizajt.
Ishte dakordim i përbashkët që shkaktarët e dhunës duhet të marrin përgjigjen e menjëhershme nga ligji dhe organet ligjzbatuese dhe për këtë duhet të ketë angazhim nga secili institucion përgjegjës.
Kryetari Aliu ka falenderuar ministren Haxhiu për vizitën e saj dhe njëherit e ka shprehur vullnetin në angazhimin e tij dhe të Komunës rreth aktiviteteve me qëllim të parandalimit dhe ofrimit të ndihmës në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje përmes mekanizmave përkatës, përfshirë edhe përkrahjen për strehimoren dhe organizatat joqeveritare të cilat janë të angazhuara në këtë drejtim.