
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në këtë takim ngriti shqetësimin për gjendjen e shumë grave të cilat shpesh janë viktimë e dhunës në familje, por edhe pamundësinë institucionale që të ndihmohen më shumë edhe në aspektin socio-ekonomik, ku rreth 90% prej tyre janë gra të papuna.
E drejta për banim është e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur nga shumë konventa ndërkombëtare, sikurse është e rregulluar shumë mirë edhe me Kushtetutë të Republikës së Kosovës. Ministrja Haxhiu theksoi edhe rëndësinë e politikave të nivelit lokal që duhet të jenë të përfshira më direkt në koordinim edhe me politikat qendrore në mënyrë që drastikisht të përmirësohet kjo situatë.
“Edhe Kosova e njeh këtë të drejtë dhe për këtë qëllim janë nxjerrë ligje dhe akte tjera nënligjore. Ligji i fundit lidhur me banimin social i miratuar para 10 vitesh i autorizon komunat e Kosovës që t’i ndihmojnë familjet që kanë nevojë për banim të përkohshëm e të cilët nuk kanë mundësi financiare që ta përballojnë tregun e banimit. Këto familje mund të jenë familjet në gjendje të rëndë socio-ekonomike, gratë vetë ushqyese, viktimat e dhunës në familje”, shtoi ministrja Haxhiu.
Qeverisja jonë socialdemokrate do të jetë e angazhuar pareshtur në përmirësim të kësaj gjendje, përmes adresimit, identifikimit të politikave, programeve dhe fondeve që duhet të ndahen për këto raste.
Në këtë takim u cilësua edhe fakti që në shumicën e komunave në Kosovë, duhet të planifikohet buxhet vjetor të specifikuar për banim social dhe staf adekuat.
Zëvendësministrja, Nita Shala, në kuadër të panelit të dytë të këtij aktiviteti tha se “Miratimi i strategjisë na hapë rrugë që t’i jetësojmë aktivitetet të cilat i kemi paraparë në këtë dokument i cili do të reflektojë pikëpamjet e përgjithshme dhe zgjidhjet të cilat mund t’i japin këtij fenomeni tejet shqetësues”.
Në këtë strategji janë paraparë mbi 100 aktivitete të cilat prekin katër shtyllat e objektivave të parashikuara në këtë strategji, të fokusuara në aspektin e parandalimit të dhunës në familje, në aspektin e harmonizimit të praktikave me standardet ndërkombëtarë, rritjes dhe fuqizimit të koordinimit ndërinstitucional për përgjigje ndaj dhunës në familje si dhe fuqizimit të të mbijetuarve të dhunës në familje.