Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u takua sot me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, me ç’rast u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e drejtësisë dhe fuqizimin e mbështetjes institucionale për të drejtat e qytetarëve të të dy vendeve.
Gjatë bisedës, ministrja Haxhiu dhe kryetarja e Kuvendit Spiropali, vlerësuan punën e bërë deri më tani dhe shprehën angazhimin për të intensifikuar përpjekjet drejt reformave të përbashkëta, me synim lehtësimin e qasjes në drejtësi dhe përmirësimin e shërbimeve ligjore për qytetarët. Po ashtu, u diskutuan mundësitë për harmonizimin e legjislacionit dhe zhvillimin e projekteve që adresojnë sfida të përbashkëta në kuadër të integrimit evropian.
Ministrja Haxhiu falënderoi kryetaren Spiropali, për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit të Shqipërisë dhe theksoi se kjo mbështetje është jetike për përparimin e reformave dhe për forcimin e marrëdhënieve e institucionale, duke sjellë më shumë përfitime konkrete për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.