Skip to content
Ministrja Haxhiu merr pjesë në shënimin e 10 vjetorit të themelimit të Odës së Noterëve të Kosovës

Ministrja Haxhiu merr pjesë në shënimin e 10 vjetorit të themelimit të Odës së Noterëve të Kosovës

Prishtinë, 14/05/2022

Në shënim të përvjetorit jubilar të themelimit të Odës së Noterëve të Kosovës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, uroi Odën dhe të gjithë noterët, duke vlerësuar se shërbimi i noterisë vazhdon të jetë i nevojshëm dhe i pazëvendësueshëm sikurse për qytetarët ashtu edhe për funksionimin dhe konsolidimin e mirë të sistemit të drejtësisë.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në kuadër të profesioneve të lira në drejtësi, dhe se do të vazhdojë përkushtimi për të forcuar edhe më tej këtë segment të drejtësisë.

Ministrja shprehu zotimin se brenda mandatit të saj dhe gjatë këtij viti, do të përkujdeset që t’i emërojë noterët e rinj në një proces të ligjshëm dhe të drejtë.

Ministrja përmendi se një proces tjetër aktual është hartimi i aktit të ri nënligjor për Tarifat Noteriale, për të cilin është duke u punuar së bashku me Odën e Noterëve të Kosovës.

Me këtë akt nënligjor do të mundësohet lirim nga pagesa e tarifave noteriale për disa kategori të qytetarëve, si dhe do të ri-rregullojmë aspektet e tjera lidhur me zbatimin e këtyre tarifave.

Ministrja Haxhiu theksoi edhe faktin se me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm, kemi ideuar digjitalizimin e sistemit noterial, dhe se ky projekt është planifikuar të nis gjatë këtij viti.

Skip to content