Skip to content
Ministrja Haxhiu: Ministria e Drejtësisë do të jetë në shërbim të kërkesave të Prokurorisë Speciale për rastin Dehari

Ministrja Haxhiu: Ministria e Drejtësisë do të jetë në shërbim të kërkesave të Prokurorisë Speciale për rastin Dehari

Prishtinë, 06/02/2020

Në vizitën e saj të parë zyrtare, Ministrja Haxhiu ka vizituar edhe dhomën A3 të pavijonit C ku ka qëndruar në paraburgim tanimë i ndjeri Astrit Dehari.

" Sot është vizita ime e parë zyrtare dhe jo rastësisht kam zgjedhur që vizitën time të parë ta realizoj në Qendrën e Paraburgimit në Prizren pikërisht në vendin ku humbi jetën aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Vizita ime këtu, është mesazh i qartë për institucionet lidhur me përkushtimin tonë dhe nevojën që sa më parë të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Ai ka qenë në duar të shtetit ku fatkeqësisht shteti nuk e mbrojti", ka deklaruar ministrja Haxhiu.

E para e Ministrisë së Drejtësisë, Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë do të jetë në shërbim të kërkesave të  Prokurorisë Speciale për rastin Dehari.

"Po ashtu ju e dini se prokuroria është duke u marrë me këtë çështje. Qeveria jonë, Ministria e Drejtësisë, do të jetë në shërbim të plotë të të gjitha kërkesave të Prokurorisë Speciale  e sidomos kur ja shtojmë faktin se tani kemi një Raport të Institutit Zviceran dhe kemi  gatishmërinë e tyre për t'i ndihmuar institucionet. Përveç rastit të Astrit Deharit, rrethanave që ka ndërmarr Qendra e Paraburgimit në Prizren, unë sot kam pranuar dy raporte që do t'i analizojë me stafin tim për rastin e Astrit Deharit", theksoi Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tha se gjatë kësaj vizite, është njoftuar për së afërmi me kushtet e të burgosurve, kërkesat e tyre, ndërsa tha që është i domosdoshëm edhe hartimi i një Projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

"Ne i kërkuam edhe stafit këtu që të na ofrojnë kërkesat që i kanë për projektligjin për Sanksionet Penale dhe po ashtu adresuam nevojën për hartimin e Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës e që vendi nuk e ka", deklaroi ministrja Haxhiu.

I pranishëm gjatë kësaj vizite ishte edhe  drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi i cili falënderoi ministrin Haxhiu për bashkëpunimin e ofruar ndërsa tha se SHKK -ja është e interesuar për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit.

Ministrja Haxhiu, e shoqëruar nga drejtori i  përgjithshëm i SHKK-së, Nehat Thaçin dhe drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Hamit Ademi ka vizituar gjithë këtë institucion duke parë nga afër kushtet dhe trajtimin e të burgosurve.

Skip to content