
Në mënyrë që të ndihmohen viktimat e krimit, Ministria e Drejtësisë ka kompletuar ndryshimet në ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe se brenda kësaj jave i njëjti do të procedohet në Kuvend.
Përmes këtyre ndryshimeve është mundësuar zgjatja e afatit ligjor të periudhës së aplikimit për kompensim; janë ridefinuar llojet e dëmeve të kompensueshme; është bërë ndryshim në tavanin e lartësisë për kompensim për të gjitha llojet e kompensimeve; është zgjeruar gama e përfshirjes së kategorive të viktimave që mund të kërkojnë kompensim pa përfunduar procesi gjyqësor; është rishikuar përbërja e Komisionit duke marrë parasysh themelimin e Divizionit për mbështetjen e Komisionit” njoftoi ministrja.
Shqetësim të madh ministrja Haxhiu e konsideroi rritjen e numrit të viktimave gra e fëmijë. Në luftën kundër dhunës në familje, tashmë ekziston një objektivë strategjike, është duke u bërë hartimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për vitin 2022-2026.
“Zbatimi dhe implementimi i objektivave strategjike, kërkon angazhim ndërinstitucional dhe nder sektorial. Nuk mund të kemi asnjë sukses nëse punojmë të ndarë. Vetëm një hallkë institucionale të mos funksionojë atëherë do të dështojmë të mbrojmë qytetarët tanë. Prandaj përmes grupit ndërministror po ndërmerren veprime konkrete sidomos krijimi i lidhjes dhe funksionit institucional i cili e garanton një rrjet sigurie për mbështetjen e viktimave të krimit. Mbështetja e viktimës duhet të jetë në qendrën e qëllimeve tona” theksoi ministrja Haxhiu.
Në thirrjen për drejtësi ministrja Haxhiu, thirrjen e adresoi edhe tek policia, prokuroria dhe gjyqtarët që të kryejnë detyrat e të mbrojnë jetët e vajzave dhe grave.
Po ashtu, ministrja e Drejtësisë inkurajoi viktimat që ta kërkojnë ndihmën që është në dispozicion për ato dhe të mos e fshehin gjendjen e tyre, por në të njëjtën kohë inkurajoi qytetarët që të raportojnë çfarëdo lloj dhune dhe krimi në vend.