
Ministrja Haxhiu, falenderoi organizatën KRCT lidhur me organizimin e kësaj konference ndërkombëtare dhe hapjen e diskutimit për këtë çështje.
Kjo konferencë vjen si rezultat i nënshkrimit të Letër-qëllimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, përmes së cilës palët janë dakorduar që të hyjnë në një Marrëveshje partneriteti si palë të barabarta dhe me përfitime reciproke.
Ministrja Haxhiu tha se Republika e Kosovës është vlerësuar si palë serioze në idenë për transferimin e të dënuarve që aktualisht mbahen në burgjet e Mbretërisë së Danimarkës.
“Administrimi i mirë i institucioneve korrektuese, avancimi i respektimit të të drejtave për personat e privuar nga liria dhe kapacitetet e mjaftueshme akomoduese të institucioneve korrektuese janë vlerësuar edhe nga raporte kredibile ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Andaj, Republika e Kosovës është e lumtur që ka mundur t’i përgjigjet pozitivisht nevojave të Mbretërisë së Danimarkës të ndërlidhura me mbipopullimin dhe mungesën e kapaciteteve në sistemin e tyre të burgjeve”, theksoi ministrja Haxhiu.
Përfitim shumë dimenzional u cilësua kjo Marrëveshje, përmes së cilës Republika e Kosovës përfiton një donacion milionësh, i cili do të dedikohet në investime kapitale si dhe në energji të ripërtishme.
Nga ky fond, po ashtu do të përfitojë Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes së cilës do të arrijë të avancojë kapacitetet, kushtet dhe gjithë infrastrukturën e saj fizike dhe profesionale.