Në ditën e dytë të kësaj Konference, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, ka në fokus viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovës dhe pikërisht ky qëllim është përfshirë edhe në hartimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale e cila ofron qasje dhe përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj trashëgimisë së shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe shkeljes së të drejtës humanitare ndërkombëtare.
Tutje ministrja Haxhiu tha se përmes kësaj Strategjie janë paraparë veprime që kanë në fokus viktimat e dhunës seksuale, duke forcuar kështu kapacitet e Komisionit Qeveritar për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë luftës, zgjatja e periudhës kohore për aplikim për njohjen e statusit së viktimave të dhunës seksuale, zhvillimi i programeve specifike për qasje në drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale si dhe zhvillimi i programeve rehabilituese e krijimi i skemës së punësimit si dhe shumë veprime të tjera.
Në fund, ministrja Haxhiu theksoi se për arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit është e nevojshme që të vazhdohet përkrahja, të sigurohet integrimi shoqëror, të inkurajohet aplikimi për njohje të statusit dhe të vazhdohet mbështetja e palëkundur institucionale.