
Ky takim është kryesuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli dhe kanë marrë pjesë, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z.Jörn Rohde, Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë znj.Danijela Barišić, drejtuesi i ekipit, Zyra e BE-së në Kosovë, z. Nicola Scaramuzzo, përfaqësues nga EUKOJUST, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe të tjerë.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu vlerësoi bashkëpunimin me programin e BE-së, duke theksuar kështu komponentën që ka të bëjë me drejtësi si dhe mbështetjen në zbatimin dhe koordinimin e aktiviteteve të cilat rrjedhin nga Deklarata e Zotimit të Përbashkët, e nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë dhe krerët tjerë të sistemit të drejtësisë.
"Të gjitha këto po bëhen me qëllimin më të mirë, siҫ po sugjerohet nga vetë ekspertët ndërkombëtarë dhe mekanizma si Komisioni i Venecias. Të gjitha janë për të avancuar shtetin tonë dhe për të ju ofruar qasje të mirëfilltë në drejtësi qytetarëve, procedura efikase e sundim të ligjit, që ndikon besimin e qytetarëve në institucionet tona. Kjo besoj është rruga e vetme që duhet të ndjekim dhe vetëm kështu mund të arrijmë që të anëtarësohemi më shpejtë në BE", deklaroi Haxhiu.
Ministrja Haxhiu tha se si rezultat i punës së shumë profesionistëve të angazhuar në këtë projekt, sot tre vite pas, ka planifikim më të mirë, politika e ligje më cilësore, si dhe ngritje të nivelit të zbatimit, nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa vlerësoi kontributin e Projektit në hartimin e Planit Zhvillimor Strategjik dhe Rregullores për Organizimin e Brendshëm të Ministrisë si dhe bashkëpunimin me Shërbimin Korrektues dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës.
Në fund, ministrja Haxhiu falënderoi projektin EUKOJUST dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për asistencën e ofruar në sektorin e drejtësisë.