Në panelin e parë, ku ishin edhe Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj dhe ekspertët e EUKOJUST, Arben Isufi, Cristian Nicoara dhe Volkmar Theobald, ministrja Haxhiu tha se Programi i BE-së, EUKOJUST ka qenë ndër programet më të rëndësishme mbështetëse përmes ekspertizës në hartimin e legjislacionit, mbështetje në reformën e brendshme të Ministrisë së Drejtësisë por edhe në reformën në tërë sistemin e drejtësisë.
Tutje ministrja Haxhiu përmendi Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 për çka tha se pjesa më e madhe e masave të zbatuara janë mbështetur nga Programi EUKOJUST përmes ekspertëve të tyre.
Në fund, ministrja Haxhiu tha se marrë parasysh rëndësinë e mbështetjes, në veçanti nevojën për ekspertizë në hartimin e Kodit të Procedurës Civile por edhe ligjeve të tjera që janë në proces, përfshirë Deklaratën e Përbashkët të Zotimit, shpreson në vazhdimin mbështetjes së këtij Programi.
Në panelin e dytë, mori pjesë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu i cili tha se EUKOJUST ka ofruar ekspertizë, duke ndarë standardet dhe praktikat më të mira të BE-së.
Tutje Sallahu falenderoi EUKOJUST për ndihmën e ofruar në hartimit të akteve të rëndësishme të legjislacionit, duke përfshirë: Projekt Kodin e Procedurës Civile; Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar; Projektligji për Gjykatën Administrative, Projektligji për Dhomen e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit si dhe hartimin e koncept dokumenteve të ndryshme të cilat kanë shërbyer për analizën paraprake të politikave të inicuara nga Ministria e Drejtësisë.