
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Tryezën e organizuar për të shënuar këtë ditë, theksoi se mungesa e drejtësisë për viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale, edhe pas 23 viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë na thërret para përgjegjësisë të gjithëve.
''Si shoqëri dhe si institucione, mund të japim më shumë dhe mund të kontribuojmë më shumë jo vetëm në vënien e drejtësisë për ta por edhe në krijimi e një ambienti ku ata ndihen të pranueshëm si pjesë e pandashme e shoqërisë dhe e historisë sonë të përbashkët''.
Ministrja Haxhiu tha se krijimi i Komisionit si dhe njohja e statusit të të mbijetuarave të dhunës seksuale është hap shumë i rëndësishëm, megjithatë konsideroi se ende ka shumë për tu bërë, dhe për tu njohur edhe pasojat me të cilat ata vazhdojnë të përballen.
Në këtë takim, ministrja e Drejtësisë u shpreh se mbetet e përkushtuar që të fuqizohen institucionet e drejtësisë, si dhe të përmirësohet korniza ligjore në vend në mënyrë që t’i hapim rrugë vënies së drejtësisë për të gjithë viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për sjellën para drejtësisë të autorëve të krimit.
''Aktualisht në Ministrinë e Drejtësisë jemi drejt finalizimit të Institutit i cili do të bëj dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Gjatë hartimit të këtij ligji, jemi munduar që të jemi shumë të kujdesshëm dhe të theksojmë rëndësinë e konfidencialitetit dhe mbrojtjes të privatësisë dhe të dhënave personale pikërisht për rastet e dhunës seksuale. Po ashtu, jemi duke hartuar Strategjinë për Drejtësinë Tranzicionale e cila do të shërbejë si ombrellë e iniciativave të marra deri më tani në trajtimin e së kaluarës, prej të cilave do të nxirren rekomandime për të ardhmen'' tha ndër të tjera ministrja Haxhiu.