
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu bashkua tryezës së diskutimit mbi Strategjinë për Sundimin e Ligjit, me fokus në drejtim të krijimit të mekanizmit për zgjidhjen efektive të zvarritjeve të procedurave gjyqësore.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu ngriti shqetësimin e përgjithshëm me grumbullimin e lëndëve dhe që bie në kundërshtim me parimin e Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut, respektivisht, për gjykimin brenda kohës së arsyeshme.
Reforma në sistemin e drejtësisë po i jep fokus të veçantë trasimit të rrugës për realizimin e mbrojtjes së të drejtës themelore procedurale të njeriut për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor. Në këtë kuptim, zgjidhja e problemit të vonesave në gjykata, përveçse realizim i një synimi që është pjesë e programit tonë qeveritar, do të jetë edhe adresim i ankesave të vazhdueshme të qytetarëve lidhur me këtë problem, theksoi ministrja Haxhiu.
Themelimi i Gjykatës Komerciale, u cilësua nga ministrja Haxhiu si hap tejet i vlefshëm në kuadër të reformës në drejtësi, dhe po ashtu edhe themelimi i Gjykatës Administrative dhe të Punës, të cilat do të ndikojnë direkt në kushte më të mira të funksionimit të sistemit gjyqësor.
Politikat qeverisëse, respektivisht prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, janë të atilla të cilat do të vazhdojnë përpjekjet drejt krijimit të një gjendje më të mirë të funksionalizimit të sistemit gjyqësor dhe efektivitetit të punëve të saj.