Skip to content
Ministrja Haxhiu po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare në Slloveni: Lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i drejtësisë penale, prioritet kyç drejt integrimit në BE

Ministrja Haxhiu po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare në Slloveni: Lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i drejtësisë penale, prioritet kyç drejt integrimit në BE

Prishtinë, 10/03/2025
Ljubljanë, 10 mars 2025 – Me ftesë të Ministres së Drejtësisë së Sllovenisë, znj. Andreja Katič, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është duke marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Towards the EU – Enhancing Integrity and Independence of Criminal Justice in the Western Balkans,” të mbajtur në Ljubljanë të Sllovenisë, ku ka paraqitur të arriturat dhe reformat e ndërmarra nga Republika e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë penale.
Në këtë Konferencë, ku po marrin pjesë Ministrat e Drejtësisë së rajonit, përfaqësues të lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe rajonale, përfaqësues nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, ministrja Haxhiu theksoi se Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe përmirësimin e besimit qytetar në sistemin gjyqësor.
Ajo potencoi miratimin dhe zbatimin e Strategjisë Nacionale për Sundimin e Ligjit, nisjen e procesit të Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe miratimin e pakos ligjore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i integritetit në sistemin e drejtësisë penale mbeten prioriteti ynë kryesor. Përkundër sfidave, reformat e ndërmarra janë të qëndrueshme dhe të drejtuara drejt përmbushjes së standardeve evropiane,” theksoi ministrja Haxhiu.
Në këtë ngjarje, Ministrja veçoi përparimin në digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, i cili ka ndikuar në rritjen e efikasitetit të shërbimeve për qytetarët, si dhe avancimet në fushën e të drejtave të njeriut, të reflektuara edhe në raportet ndërkombëtare të organizatave prestigjioze si Transparency International dhe Freedom House.
Duke përmbyllur fjalën e saj, ministrja Haxhiu ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ecur me hapa të sigurt drejt integrimit evropian, duke garantuar një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe efikase.
Skip to content