Para të pranishmëve, ministrja Haxhiu tha se objektivë kryesore e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë ka qenë gjithashtu lufta e pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes reformave në sistemin e drejtësisë.
"Ministria e Drejtësisë po shënon të arritura konkrete edhe në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, ne kemi kompletuar dhe miratuar paketën ligjore Kundër-korrupsion, kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, por gjithashtu, kemi miratuar Rregulloren për Sinjalizim dhe jemi në rrugën e duhur për funksionalizimin e task-forcës Anti-korrupsion dhe ekipit të përbashkët të hetimeve për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit me përbërje të ekspertëve nga institucionet tjera shtetërore", tha ministrja Haxhiu.
Tutje ministrja Haxhiu tha se janë zbatuar 85 për qind e aktiviteteve të Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe brenda mandatit synohet t’i afrohemi mesatares evropiane për luftimin kundër korrupsionit.
Ministrja Haxhiu foli edhe për Deklaratën e Përbashkët në mes të institucioneve të drejtësisë për çka tha se kanë pasur mospajtime për Reformë por që u bëri thirrje edhe njëherë KGjK-së dhe KPK-së për bashkëpunim dhe zbatim të zotimeve të përbashkëta në realizimin e reformës.
Krejt në fund ministrja Haxhiu përmendi gjithashtu rëndësinë e trajtimit me kohë të lëndëve në gjykata, përfshirë mbi 200 dosjet e dorëzuara nga Qeveria në prokurori për dyshimet të veprave të tilla penale.
Ministrja Haxhiu falënderoi misionin e OSBE-së për Raportin, duke theksuar se rekomandimet e dala do të jenë në fokusin e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.