
Përkitazi me standardet e politikave më të mira të vendeve mike, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur angazhim të shtuar sa i përket plotësimit të infrastrukturës ligjore dhe mekanizmash për brenda sistemit të drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë.
Në vendin tonë, tha ministrja Haxhiu është miratuar edhe Ligji për Siguri Kibernetike i cili përveç parimeve, politikave dhe përcaktimit të përgjegjësive, ky Ligj gjithashtu themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike si institucioni përgjegjës për zbatimin e masave për siguri kibernetike në vend, Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes dhe përcakton procedurën e funksionalizimit të Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike.
Në fjalën e saj, Ministrja njoftoi të pranishmit edhe me veprimet konkrete të cilat i ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë përmes Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përmes të cilit janë adresuar disa çështje që kanë të bëjnë dhe ndërlidhen me këtë fushë duke e mbyllur kështu edhe një tjetër obligim ligjor sa i përket infrastrukturës ligjore në fushën e parandalimit të krimeve kibernetike.
Ministrja Haxhiu shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë fushë me të gjitha vendet mike duke qenë se krimi kibernetik nuk është vetëm problem lokal i një shteti por edhe ndërkombëtar, dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë rast vlerësohet si i domosdoshëm.