Skip to content
Ministrja Haxhiu priti në takim ambasadorin gjerman në Kosovë, përfaqësues të Odës Federale të Noterëve dhe të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë (UINL)

Ministrja Haxhiu priti në takim ambasadorin gjerman në Kosovë, përfaqësues të Odës Federale të Noterëve dhe të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë (UINL)

Prishtinë, 16/11/2021

Në takim u diskutua për sistemin noterial në Kosovë, sfidat dhe problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sistemi i noterisë në vend. Krahas këtij diskutimi, ambasadori gjerman dhe të pranishmit e tjerë, theksuan se Ambasada Gjermane në Kosovë, Oda Federale e Noterëve, si dhe Unionit Ndërkombëtar i Noterisë, do ta përkrahin Ministrinë e Drejtësisë përmes këshillimit.

Ministrja Haxhiu, pasi që falënderoi ambasadorin dhe delegacionin për mbështetjen e ofruar, theksoi se Ministria e Drejtësisë është në pritje të vendosjes nga Gjykata lidhur me kontestimin e vendimit të saj për anulimin e procesit të zgjedhjes së noterëve të rinj për shkak të parregullsive. Më tej, ministrja theksoi se, në rast të përsëritjes së këtij procesi do të ishte e mirëpritur përfshirja në të njëjtin proces e Odës Federale të Noterëve dhe Unionit Ndërkombëtar të Noterisë. Ministrja Haxhiu, po ashtu theksoi se rishikimi i kornizës ligjore të sistemit noterial, ashtu si dhe fuqizimi i mekanizmit të mbikëqyrjes së punës së noterëve në Kosovë janë të rëndësisë së veçantë. Veç kësaj, ministrja e Drejtësisë njoftoi se është duke u punuar për digjitalizimin e sistemit noterial në Kosovë dhe se kjo pritet të lehtësojë shumë ofrimin e shërbimeve të mira nga noterët dhe të rrisë sigurinë e ofrimit të këtyre shërbimeve.

Në fund, ambasadori gjerman dhe pjesa tjetër e delegacionit shprehën mbështetjen e tyre për ministren Haxhiu lidhur me temat e diskutimit si dhe e ftuan atë dhe stafin e saj për vizitë në shtetin e Gjermanisë, me qëllim të njoftimit drejtpërdrejt me praktikat e noterëve në Gjermani dhe mënyrën e funksionimit të sistemit noterial atje, kjo me qëllim të ndarjes së përvojave dhe ideve për fuqizimin dhe përmirësimin e sistemit të noterisë në Kosovë.

Skip to content