
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga zëvendësministrja, njëherit Koordinatorja Nacionale Kundër Dhunës në Familje, Nita Shala, sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore.
Ky takim është mbajtur me qëllim të koordinimit të aktiviteteve për fushatën “16 Ditë e Aktivizmit”, fushatë kjo kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.
Me këtë rast ministrja Haxhiu ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe partnerët e Ministrisë së Drejtësisë për angazhimin aktiv dhe koordinimin e vazhdueshëm me qëllim të realizimit të aktiviteteve të cilat kanë të bëjnë me fushatën kundër fenomenit të dhunës në familje.
Ministria e Drejtësisë, si institucion bartës, tha Haxhiu mbetet e përkushtuar në përmbushjen e agjendës dhe realizimin e aktiviteteve të parapara për fushatën “16 ditë e Aktivizmit”. Ajo derisa ka prezantuar aktivitetet e planifikuara nga Ministria e Drejtësisë, kërkoi nga të gjithë akterët e përfshirë që të ndërmarrin veprime konkrete në mënyrë që të ketë rezultate të cilat dëshmojnë përkushtimin institucional dhe njërit edhe efikasitetin e tyre.
Haxhiu theksoi se për Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht Zyrën e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, është tejet me rëndësi që t’i bashkërendojmë aktivitetet dhe të flasim me një zë sa i përket fenomenit të dhunës në familje me qëllim që të jemi sa më të unifikuar.
Nga ana tjetër, zëvendësministrja Shala tha se fenomeni i dhunës në familje kërkon një angazhim të koordinuar dhe jo vetëm angazhim institucional por edhe qytetar. “Sensibilizimi kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore mbetet kyç në garantimin e suksesit drejt luftimit të këtij finomeni” tha Shala.
Gjatë takimit nga pjesëmarrësit janë shpalosur aktivitetet të cilat parashihet të mbahen gjatë 16 ditëve të fushatës kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore të cilat do të zhvillohen në nivel të vendit.