
Në takim ministrja Haxhiu fillimisht e ka njoftuar ministrin Maricik me rezultatet dhe zhvillimet në Kosovë të reformës në drejtësi dhe forcimit të shtetit të së drejtës, përfshirë vettingun si një nga proceset më të rëndësishme të mandatit të saj.
Nga ana tjetër, ministri Maricik ka përgëzuar ministren Haxhiu duke e vlerësuar angazhimin e saj dhe të Qeverisë së Kosovës në reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë. Ministri Maricik derisa ka folur për sfidat me të cilat po ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, ka shprehur gatishmërinë e tij për shkëmbim të përvojave dhe thellim të bashkëpunimit në fushat të caktuara për çka ministrja Haxhiu është shprehur po ashtu e gatshme.
Veçanërisht në fokus të bisedës së dy ministrave ka qenë bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të marrëdhënieve juridiksionale dypalëshe, përkatësisht forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike me ç’rast është nënshkruar marrëveshja në çështjet civile në mes të dy vendeve si dhe lehtësimi i procedurës ligjore mes tyre në këtë fushë.
Haxhiu dhe Maricik e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe janë shprehur të bindur së në të ardhmen do të thellohet ky bashkëpunim në çështjet përmes të cilave sigurohet lehtësi dhe garantim i të drejtave të qytetarëve të të dyja vendeve.
Gjithashtu ministrat u përqendruan në diskutimin për të akuzuarit e rastit “Kumanova” për të cilët, ministrja Haxhiu kërkoi nga ministri Maricik që institucionet e drejtësisë trajtimin e tyre ta bëjnë sipas ligjit duke mos i anashkaluar kërkesat eventuale nga ana e tyre për shërbime shëndetësore, për çka ministri Maricik theksoi se mbetet i angazhuar që të akuzuarit të kenë trajtim të duhur, dinjitoz dhe përkitazi me ligjet në fuqi.
Pjesë e diskutimit ishte dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, çështja e dhunës në familje si dhe shkëmbimi i përvojave në kuadrin e integrimit evropian duke ofruar mbështetje të ndërsjellë në legjislacionin përkatës.
Në fund të takimit ministrja Haxhiu falënderoi për vizitën ministrin Maricik dhe theksoi se marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe veçanërisht bashkëpunimi ndërmjet dy Ministrive të Drejtësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.