Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka realizuar një takim zyrtar me homologun e saj, ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë, z. Yılmaz Tunç, gjatë vizitës së saj zyrtare në Turqi.
Gjatë takimit, ministrja Haxhiu foli për rezultatet e deritanishme të Ministrisë së Drejtësisë dhe Republikës së Kosovës të cilat kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, adresimin e krimeve të luftës, adresimin e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore si dhe bashkëpunimin juridik mes dy vendeve.
Po ashtu, dy ministrat diskutuan për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë, bashkëpunimin e Akademive të Drejtësisë së dy shteteve, bashkëpunimin në luftimin e terrorizmit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në takim, dy homologët theksuan bashkëpunimin e mirëfilltë mes Kosovës dhe Turqisë në zhvillimin e trajnimeve dhe programeve edukative në fushën e drejtësisë, ku u bë e ditur që në dhjetor të këtij viti në Republikën e Turqisë, do nisin trajnime 20 gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Kosovës.
Ministrja Haxhiu shprehu mirënjohjen e saj dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e pakursyer të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.