Skip to content
Ministrja Hoxha: Gjinia nuk është pengesë por përparësi për sukses

Ministrja Hoxha: Gjinia nuk është pengesë por përparësi për sukses

Prishtinë, 20/03/2017

Ministrja Hoxha theksoi se prezenca jonë dëshmon se vërtet duam të shohim ndryshime pozitive dhe progres të vazhdueshëm në rolin e gruas në shoqërinë tonë në përgjithësi dhe në politikë-bërjen në veçanti.    

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë e përditshme me të cilat ballafaqohen vendimmarrësit në Kosovë, sepse pesha e vendimeve është e madhe. Megjithatë, ne duhet të luftojmë për të arritur në një pikë që këto sfida e vështirësi të mos bëhen më të mëdha kur vendimmarrja u besohet grave”, theksoi Ministrja Hoxha.     

Me rritjen e numrit të grave të përfshira në vendimmarrje, theksoi ministrja Hoxha, ne i tregojmë fillimisht shoqërisë tonë, brezave të rinj por edhe të tjerëve që Kosova po bën hapa përpara drejt thyerjes së perceptimeve të gabuara për pabarazinë e burrave dhe grave në vendimmarrje.         

“Për më tepër, ne ju tregojmë fëmijëve tanë që një grua përpos të qenurit nënë, bashkëshorte apo motër e mirë dhe e përkushtuar, ajo mund të luajë paralelisht rol kyç në vendim-marrje. Kjo vendim-marrje ka vulën e grave, të cilat kanë dëshmuar dhe vazhdojnë të dëshmojnë se gjinia nuk është pengesë për suksesin, por e kundërta”, shtoi Ministrja Hoxha. 

Ministrja Hoxha bëri thirrje që të ngritët zëri për barazi duke u bërë të ditur kështu të gjithëve se barazia kërkon shanse të barabarta, kërkon që t’i besojmë dhe t’i japim mundësi grave sa i përket vendim-marrjes ashtu siç iu kemi dhënë me dekada burrave. T´i vlerësojmë dhe kritikojmë veprimet dhe vendimet e grave, por mbi bazën e argumentit dhe jo në mungesë të këtij të fundit të fshihemi prapa deklarimeve qyqare e denigruese.

Ministrja Hoxha u zotua se si grua dhe si Ministre e Drejtësisë, do të jetë në ballë të kësaj lufte e cila është luftë për vlera të shoqërisë sonë. Në fund të fjalës së saj, Ministrja Hoxha theksoi se gratë të cilat aktualisht janë pjesë e vendimmarrjes, duhet të tregojnë se gratë në vendimmarrje nuk duhet të jenë përjashtim por rregull, nëse duam që reformat dhe proceset të ecin përpara.

Foto Galeria

Skip to content