
Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Asociacioni për të Drejtat e Barabarta të komunitetit LGBTI në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Kjo konferencë organizohet nga data gjashtë deri më tetë Tetor në Prishtinë.
Ministrja Hoxha, në fjalimin e saj në panelin e sotëm ka folur për progresin dhe sfidat e komunitetit LGBTI në Kosovë. Gjithashtu, Ministrja Hoxha ka përmendur edhe punën të cilën e kryen Grupi Këshillëdhënës dhe Koordinues në nivel vendi, i cili do të merret me mbrojtjen e këtij komuniteti në Kosovë, me qëllim ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile, për të punuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit.
Ndër të tjera, Ministrja Hoxha ka përshëndetur faktin se në parakalimin e fundit në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë, nuk ka pasur ndonjë pengesë dhe se është mbështetur edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ndërkohë, u zotua se mbështetja për komunitetin LGBTI do të vazhdojë edhe më tej, si nga Ministria e Drejtësisë, ashtu edhe nga institucionet tjera.