
Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka marrë mbështetje të fuqishme nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për reformat e ndërmarra në Ministrinë e Drejtësisë dhe në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Gjatë vizitës me ftesë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ministrja Hoxha është takuar të martën në Uashington me z. Bruce Swartz nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, përgjegjës për bashkëpunim ndërkombëtar për zyrat OPDAT, ICITAP, INL, të cilat mbështesin Republikën e Kosovës.
Në këtë takim, ministrja Hoxha dhe Bruce Swartz nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, kanë diskutuar për përkrahjen amerikane për sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa u vlerësua puna që po bënë Ministria e Drejtësisë për reforma në sundimin e ligjit.
Ministrja Hoxha mori mbështetje të plotë të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së edhe për fuqizimin e legjislacionit për sistemin e drejtësisë, për të fuqizuar edhe më shumë llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve të drejtësisë.