Skip to content
Ministrja Hoxha merr pjesë në “Konferencën e Javës së viktimave të krimit”

Ministrja Hoxha merr pjesë në “Konferencën e Javës së viktimave të krimit”

Prishtinë, 17/10/2016

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, sot ka marr pjesë në Konferencën dy ditore me temën “Java e viktimave të krimit” e cila është organizuar nën patronatin e Kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi, e ku të pranishëm ishin edhe Presidenti i vendit, z. Hashim Thaçi dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie.

Ministrja Hoxha, i përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se diskutimi për viktimat e krimit përbën ndoshta njërën nga temat më të vështira dhe më të ndjeshme, duke e konsideruar edhe ndër detyrat urgjente të përgjegjësive. “Përkushtimi për të kontribuar në krijimin sa më të mirë të kushteve politike, juridike dhe sociale që të do të mund të ofronin drejtësi për viktimat e krimit, e konsideroj edhe si njërën nga detyrat më urgjente dhe më sfiduese, gjatë angazhimit tim”, theksoi Ministrja Hoxha.

Gjatë fjalës së rastit, Ministrja Hoxha vuri theks në të drejtat e viktimës të cilat përbëjnë korpusin juridik të atyre të drejtave që sot gëzojnë statusin e të drejtave universale njerëzore dhe për shkak të rëndësisë që kanë këto të drejta, Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë përfshirë ato në boshtin e sistemit kushtetues dhe juridik.

“Struktura institucionale e një shteti modern demokratik ndërtohet mbi premisat e lirisë politike, autonomisë qytetare dhe barazisë individuale. Çfarëdo lloj sulmi mbi secilin individ të kësaj shoqërie dhe dhunim i të drejtave të tij, përbën edhe një atak të drejtpërdrejtë ndaj vlerave që formësojnë parimet e këtij rendi”, theksoi ministrja Hoxha.

Me këtë rast, Ministrja Hoxha vuri në pah rëndësinë e miratimit të bazës ligjore për këtë çështje. “Miratimi i Kodit të Procedurës Penale, që parasheh edhe rastin e kompensimit të viktimave, si dhe Ligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, përbëjnë vetëm disa nga nismat legjislative në përmbushjen e kësaj detyre.

Me Kryeprokurorin jemi afër funksionalizimit të Komisionit për Kompensimin e viktimave me synim shqyrtimin e kërkesave konform ligjit”, theksoi ministrja Hoxha.

Rekomandimet që do të dalin nga kjo Konferencë, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, së bashku me institucionet tjera, do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e drejtësisë për viktimat e krimit.

Foto Galeria

Skip to content