
Ajo e quajti të papranueshme që për të njëjtën vepër dikush është në arrest shtëpie e dikush në paraburgim, për të mënjanuar këtë, paralajmëroi inicimin e një udhëzuesi për dënime.
Ministrja Hoxha theksoi se në shtetet e zhvilluara ekziston ky udhëzim dhe ky udhëzim pritet të mënjanojë edhe pabarazinë gjatë shqiptimit të dënimeve dhe lufton korrupsionin në gjyqësor, duke e konsideruar hap të madh në drejtësi. Ky udhëzues sipas Ministres, për të njëjtat vepra i detyron gjyqtarët të shqiptojnë dënime të njëjta.
Ndërsa sa i takon Avokatit të shtetit, Ministrja theksoi se ka shumë ankesa nga ministritë e ndryshme për punën e avokatit të shtetit. Gjatë vitit 2016 kjo avokaturë ka përfaqësuar institucionet e Kosovës në gjithsej 3864 seanca, ndërsa shumë raste që janë humbur kanë të bëjnë kryesisht me shpronësimet.
“Është koha e fundit që zyrtarët të marrin përgjegjësinë për punën e tyre, shumë shpejt do të merren masa dhe nuk do të toleroj të punohet në këtë formë”, ka thënë ministrja Hoxha.
Bashkëpunimin me Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovës, ministrja Hoxha e vlerësoi si shumë të mirë dhe së bashku me këto dy institucione relevante të koordinuar do të bëhet rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit.
Ministrja ka paralajmëruar ndryshime në ligjin për Prokurorinë e shtetit duke emëruar grupin punues, po ashtu, ajo ka paralajmëruar ndryshime në ligjin për Jurisprudencën, Noterinë dhe profesionet e lira me qëllim të ngritjes së efikasitetit të tyre.
Rreth Institutit për Krime të Luftës duhet të ketë më shumë efikasitet dhe bashkë me Prokurorinë, Ministrja kërkoi të ketë më shumë suksese për paraqitjen faktografike të krimeve të luftës dhe ngritjen e akuzave ndaj kryesve të krimeve të luftës.
Ligji për përmbaruesit dhe noterinë janë në Kuvend në shqyrtim dhe aty janë adresuar sfidat, përmbaruesit kanë arkëtuar 65 milion euro, deklaroi ministrja Hoxha duke vënë në pah rëndësinë e përmbaruesve.
“74 noterë nuk janë të mjaftueshëm, me rishikimin e ligjit për çdo 10 mijë banorë do të ketë një noter dhe do të fillojë licencimi i gjeneratës së re të noterëve. Në ligjin e ri janë fuqizuar nenet e caktuara që lehtësojnë punën e gjykatave. Është shtuar kontrolli ndaj noterëve dhe përgjegjësia e tyre”, theksoi ministrja Hoxha dhe shtoi se çdo shkelje e ligjit nga noterët apo përmbaruesit, kanë përgjegjësi ligjore duke e forcuar mbikëqyrjen e tyre periodike dhe sipas rastit.
Ministrja shprehu përkushtimin për transparencë me rastin e emërimit të Drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke kërkuar që të jetë pozitë e lartë publike dhe përzgjedhja e drejtorit të bëhet sipas marrëveshjes me Ambasadën britanike për përzgjedhjen e personave profesional në postet e larta.
Si ministre, kundër korrupsionit, kam ndërmarrë masa që nga dita e parë, theksoi Ministrja Hoxha, edhe pse mundësia është mjaftë e kufizuar, ne hartojmë ligje dhe hartojmë politika kundër korrupsionit, këtë jemi duke e bërë.