Skip to content
Ministrja Hoxha: Po përmbushim obligimet e MSA-së për sundimin e ligjit

Ministrja Hoxha: Po përmbushim obligimet e MSA-së për sundimin e ligjit

Prishtinë, 05/04/2017

Ministrja Hoxha, i njoftoi të pranishmit në pika të shkurtra me aktivitetet dhe angazhimet e Ministrisë në rishikimin e një sërë ligjesh në funksion të rritjes së efikasitetit dhe fuqizimit të gjykatave.
“Pjesë e këtyre ndryshimeve, do të jetë rishikimi i çështjes së afatit të zhvillimit të hetimeve për kategori të caktuara të veprave penale, ndjekja e të cilave nuk parashkruhet, pra veprat penale kundër të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë gjenocidin, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit”, theksoi Ministrja Hoxha.
Pas hartimit dhe hyrjes në fuqi të legjislacionit për të drejtën për kompensim të viktimave të krimit, si dhe pas ndarjes së mjeteve buxhetore nga Qeveria, theksoi Ministrja, tanimë jemi gati të fillojmë me procesin e kompensimit të viktimave të krimit, proces të cilin jemi shumë të përkushtuar ta fillojmë sa më parë.

Vëmendje të veçantë po i kushtojmë krimeve të luftës, vuri në dukje Ministrja Hoxha, është tejet evidente që Kosova ka infrastrukturën adekuate ligjore për të bërë gjykimin e krimeve të luftës por që mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Jemi të përkushtuar dhe do t’i japim prioritet gjykimit të këtyre krimeve me mekanizmat që i kemi në dispozicion.
“Në bashkëpunim me UN Women dhe në koordinim me institucionet tona, është përgatitur Plani i Veprimit për qasje në drejtësi për viktimat e dhunë seksuale gjatë luftës. Ristrukturimi, reforma ligjore dhe institucionale, zhvillimi i kapaciteteve të akterëve relevantë, si dhe mbështetja për fuqizimin dhe mobilizimin e përkrahjes publike për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, është njëra nga çështjet që do ta ketë fokusin e angazhimeve të mia dhe të Ministrisë”, theksoi Ministrja Hoxha.

Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në sistemin e burgjeve, respektohen Standardet Minimale të rregullave të OKB-së për trajtimin e të Burgosurve si dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve. Njëkohësisht, jemi në finalizim e sipër të Strategjisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, e cila synon të përmirësoj administrimin e ekzekutimit të sanksioneve penale në Kosovë.

Gjithashtu, kjo Strategji do të shërbej në sensibilizimin e gjykatave për rritjen e numrit të rasteve të shqiptimit të dënimeve alternative- dënimin me kusht, gjysmë liria, puna në dobi te përgjithshme- për vepra më të lehta penale, theksoi Ministrja Hoxha, dhe shtoi se Ministria është duke punuar për fuqizimin e njësisë ekonomike në kuadër të Shërbimit Korrektues. Në bashkëpunim me MPB, është duke u punuar në përgatitjet për funksionalizimin e monitorimit elektronik të të dënuarve ndërsa së shpejti do të funksionalizohen Qendrat e paraburgimit në Gjilan dhe Prishtinë.

Është aprovuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, theksoi Ministrja, e cila ka për qëllim të konsolidojë bashkëveprimin mes akterëve duke fuqizuar mekanizmat ekzistues dhe themeluar mekanizma të rinj për reagim të shpejtë për mbrojtjen dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Duke u bazuar në nevojën që Kosova ta ketë Strategjinë Sektoriale për Rendin dhe Ligjin, e cila do të përcaktonte objektivat strategjike dhe zhvillimore për fushën e sundimit të ligjit, me qëllim të rritjes së efektivitetit të institucioneve shtetërore në zbatimin e ligjit, si dhe përgatitjes që në fazën e ardhshme, pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim, që të jemi sa më afër përmbushjes së kritereve për hapjen e kapitujve negociues, Kapitulli 23 dhe 24, me vendim të Qeverisë, është themeluar grupi për Rishikimin Funksional për Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, vuri në pah Ministrja Hoxha.
“Ky proces do të udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë, kurse me këtë rishikim, përveç përcaktimit të objektivave strategjike, do të synohet që të rishikohet e tërë infrastruktura ligjore që rregullon fushën e sundimit të ligjit, proceset dhe bashkëpunimin në mes të institucioneve me këtë përgjegjësi si dhe do të vlerësohen kapacitetet e institucioneve me përgjegjësi në fushën e sundimit të ligjit”, theksoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se kështu po përmbushim obligimet e MSA-së për sundimin e ligjit.

Foto Galeria

Skip to content