
Ministrja Hoxha, theksoi se nevoja për një rishikim të tillë është ngritur dhe diskutuar gjatë, por tani ka ardhur koha që të veprohet në këtë drejtim. Rishikimi funksional do të përqendrohet në tri fusha, të cilat shihen si problematike për një sistem të sundimit të ligjit që është efikas, transparent dhe llogaridhënës, në shërbim të qytetarit.
“Fillimisht kemi të bëjmë me strategjinë sektoriale që prek fushën e sundimit të ligjit. Kemi numër të madh ligjesh, por ka kritika të shumta që ato nuk janë në përputhje me njëri-tjetrin, dhe që kanë kundërthënie mes veti, gjë që e bën të vështirë, nganjëherë edhe të pamundur zbatimin e drejtë të tyre”, theksoi Ministrja Hoxha.
Fusha e dytë, theksoi Ministrja Hoxha, është shqyrtimi i nivelit të transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, ndërsa fusha e tretë është shqyrtimi i nivelit të bashkëpunimit dhe komunikimit midis institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit, ku përfshihen Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Doganat, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe Ministria e Financave.
Ministrja Hoxha theksoi se Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit është shtytje për transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e institucioneve të Drejtësisë, në funksion të agjendës euro-integruese dhe pa një bashkëpunim e komunikim të mirëfilltë midis institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit nuk mund të ketë sundim efikas të ligjit.