
Ndërsa, e pyetur tutje rreth rastit të ndalimit të z. Ramush Haradinaj, Ministrja Hoxha theksoi se janë marr të gjitha veprimet e nevojshme. Pas marrjes së informatës mbi ndalimin e z. Haradinaj, MD kishte njoftuar fillimisht Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Si Ministre e Drejtësisë, kam dërguar tre shkresa në Ministrinë e Drejtësisë së Francës, duke kërkuar po ashtu lirimin e z. Haradinaj, por është proces dhe duhet të pritet për të përfunduar procedurat. Letrat kanë qenë të fokusuara mbi atë se pushteti i Serbisë mbi Republikën e pavarur të Kosovës ka përfunduar, dhe po ashtu kemi dhënë garanci që z. Haradinaj është i pafajshëm. Edhe pse Interpol-i operon si Agjenci e pavarur, ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për të pastruar listat nga emrat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës, por procedurat janë të rënda dhe serioze”, theksoi ministrja Hoxha.
Në pyetjen rreth lirimit të z. Haradinaj, Ministrja Hoxha u shpreh e përkushtuar se do të lirohet, edhe pse gjyqësori funksionon si i pavarur, edhe pse i tërë procesi ishte politik.
E pyetur rreth rastit të vetëvrasjes së të ndjerit Astrit Dehari, Ministrja Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave te veta ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme dhe ka qenë e përkushtuar për të zbardhur këtë rast. Ministria e Drejtësisë ka dhënë leje për dy ekspert të mjekësisë ligjore që të marrin pjesë gjatë ekzaminimit, e po ashtu edhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje ju është dhënë leje për të marr pjesë në këtë proces.
Në fund të fjalës së saj, Ministrja Hoxha vuri në pah se do të jetë gjithnjë e përkushtuar për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe sundimin e ligjit, njëherit theksoi se do të ketë zero tolerancë ndaj krimit.