
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në Mbledhjen e radhës së Qeverisë, paraqiti për miratim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore, njëherit falënderoi të gjithë ministrat dhe kabinetin Qeveritar për reflektim pozitiv dhe votimin e këtij Projektligji.
Ministrja Hoxha, vlerësoi lartë punën e palodhshme dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të gjithë stafit të Ministrisë së Drejtësisë në funksion të kompletimit dhe reformimit të infrastrukturës ligjore, si dhe adresimit të sfidave dhe vështirësive që janë hasur gjatë zbatimit të legjislacionit në fuqi. Po ashtu, Ministrja falënderoi Misionin e USAID-it dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndihmën e pakushtëzuar në procesin e reformimit të procedurës përmbarimore.
Me këtë rast, Ministrja Hoxha paraqiti ndryshimet kryesore që synohen të arrihen me anë të këtij Projektligji, me theks të veçantë, në forcimin e mekanizmit të mbikëqyrjes së përmbaruesve privat, në mundësin që shpenzimet lidhur me efikasitetin e përmbarimit të përcaktohen me marrëveshje të lirë, si dhe mënyrës së sekuestrimit dhe përmbarimit në llogarinë bankare.
Ministrja Hoxha, vlerësoi se përmes miratimit të këtij Projektligji do të avancohet procedura përmbarimore, si dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore. “Në kuadër të të bërit biznes, vlerësimi nga Institucionet Bankare Vendore dhe Ndërkombëtare është se përmbaruesit privat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces dhe ne si Ministri e Drejtësisë, mbesim të përkushtuar që të ndihmojmë dhe përkrahim me procedura ligjore, njëherit të nxisim zhvillimin ekonomik të vendit” tha Ministrja Hoxha.