Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Propozim-Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, duke siguruar vazhdimësinë e funksionimit të këtij mekanizmi të rëndësishëm për mbështetjen dhe realizimin e të drejtave të viktimave të krimit.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e këtij vendimi dhe përkushtimin institucional për garantimin e të drejtave të viktimave.
“Duke reflektuar angazhimin tonë për respektimin e të drejtave të viktimave dhe për garantimin e mbështetjes institucionale që u takon, kemi ndërmarrë veprimin e domosdoshëm për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, tha Ministrja Gërvalla.
Duke nënvizuar rëndësinë e garantimit të zbatimit të ligjeve në fushën e drejtësisë dhe nevojën për funksionim të pandërprerë dhe efikas të institucioneve, Ministrja Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për transparencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të sigurojë transparencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional. Ky proces është pjesë e vizionit tonë për një sistem drejtësie të besueshëm, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”, deklaroi ajo.