Skip to content
Miratohet Ligji i ri për Konfliktet Administrative

Miratohet Ligji i ri për Konfliktet Administrative

Prishtinë, 19/12/2023

Ky Ligj përcakton parimet, rregullat dhe procedurën e gjykimit të konflikteve administrative, konflikte këto që ngritën ndaj organeve publike si pasojë e veprimeve ose mos-veprimeve të tyre gjatë procedurës administrative. Efikasiteti i gjyqësorit duke i gjykuar këto raste në kohë të arsyeshme dhe mbrojtja e duhur gjyqësore e të drejtave të tjera të palëve, janë qëllimet thelbësore të këtij Ligji.

Disa prej risive që Ligji parasheh në raport me Ligjin e kaluar janë:

Mundësia për Gjykatën për zhvillimin e procedurës me shkrim, pa prezencën e palëve, në raste të caktuara.

Zgjerimi dhe konkretizimi i llojit të padive me të cilat mund të iniciohet një konflikt administrativ.

Afate ligjore më të shkurta dhe veprime tjera që mundësojnë zgjidhjen efikase të rasteve nga Gjykata.

Ndalimi i kthimit të lëndëve gjyqësore në rishqyrtim dhe rivendosje në organet publike.

Limitimi i rasteve të kthimit në rishqyrtim dhe rivendosje nga gjykata e shkallës së dytë në gjykatën e shkallës së parë.

Mundësimi i komunikimit elektronik dhe mbajtjen e seancave në distancë kur të krijohen kushtet në të ardhmen.

Përcaktimi në mënyrë të veçantë i kompetencës së Gjykatës për shqyrtimin e ligjshmërisë së akteve nënligjore të organeve publike.

Rregullimi ligjor i parimit që shpenzimet barten nga pala që humb konfliktin administrativ.

Rregullimi i procedurës së ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, duke përfshirë edhe fuqinë ligjore që do ta kenë gjyqtarët për të shqiptuar gjoba ndaj zyrtarëve përgjegjës.

Ky Ligj do të hyj në fuqi 1 vit pas publikimit në Gazetë Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke mundësuar kështu një periudhë të përshtatshme përgatitore për trajnimin e gjyqtarëve, avokatëve dhe profesionistëve tjerë ligjorë për zbatimin e këtij Ligji.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të themeloj gjithashtu gjatë vitit të ardhshëm Gjykatën Administrative, si pjesa tjetër e reformës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtësinë administrative.

Skip to content