Skip to content
Miratohet Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Kosovës dhe Suedisë

Miratohet Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Kosovës dhe Suedisë

Prishtinë, 13/11/2026
Me 85 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, e cila synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në hetimin dhe trajtimin e veprave penale.
Gjatë prezantimit të Marrëveshjes në seancën plenare, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë është i domosdoshëm në një realitet ku format e kriminalitetit gjithnjë e më shumë tejkalojnë kufijtë shtetërorë.
“Në një realitet kur format e kriminalitetit gjithnjë e më shumë I kapërcejnë kufijtë shtetërorë, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjës të drejtësisë është domosdoshmëri për hetimin efektiv të veprave penale dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ajo tha se marrëveshja vendos një bazë të qëndrueshme për bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kompetente të të dyja shteteve, përmes sigurimit dhe shkëmbimit të provave, marrjes së deklaratave, dorëzimit të dokumenteve dhe formave të tjera të ndihmës juridike në procedurat penale.
“Marrëveshja përcakton gjithashtu kushtet për paraqitjen dhe ekzekutimin e kërkesave, legjislacionin e zbatueshëm dhe rrethanat në të cilat ndihma juridike mund të refuzohet, duke siguruar qartësi procedurale dhe respektim të garancive juridike”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Tutje, ajo vlerësoi se përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova zgjeron mekanizmat e bashkëpunimit me një shtet evropian dhe forcon kapacitetet institucionale për të adresuar kriminalitetin përtej kufijve të saj.

Foto Galeria

Skip to content