Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot, në lexim të parë, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 81 vota për. Miratimi i tij shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e mekanizmave institucionalë për luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Gjatë seancës plenare, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se Projektligji ka kaluar një rrugëtim të gjatë të diskutimit dhe shqyrtimit juridik, institucional e publik, si rezultat i kundërshtimeve të shumta dhe kërkesave për vlerësimin e kushtetutshmërisë, të cilat kanë rezultuar me dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe, rrjedhimisht, me nevojën për rikthimin e Projektligjit në procedurat e miratimit.
Ministrja Gërvalla rikujtoi se iniciativa për krijimin e këtij mekanizmi daton nga viti 2020 dhe është pjesë e reformave më të gjera në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit.
“Qëllimi ka qenë që Kosovës t’i jepet një instrument shtesë për trajtimin e rasteve kur ekziston një mospërputhje e konsiderueshme mes pasurisë së një zyrtari publik dhe të ardhurave të tij të ligjshme”, tha Ministrja Gërvalla.
Përmes Projektligjit, Ministrja tha se është krijuar një balancë e rëndësishme ndërmjet kompetencave të Byrosë dhe të drejtave të personit ndaj të cilit zhvillohet procedura, duke përmendur kështu faktin se Byroja verifikon, mbledh dhe paraqet provat, personi ka të drejtë të mbrohet dhe t’i kundërshtojë ato, derisa për konfiskimin vendos vetëm Gjykata.
“Prandaj, ju ftoj ta mbështesni fuqishëm dhe të miratoni këtë Projektligj. Qytetarët e Republikës sonë, janë duke na shikuar dhe duke e pritur me padurim”, bëri thirrje Ministrja Gërvalla.
Me 81 vota për, Kuvendi i Republikës së Kosovës e miratoi në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme