
Ky Projekt-ligj ka për qëllim rregullimin e të drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale, përmes së cilës përcaktohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve që ushtrojnë autorizime ose që administrojnë pronën publike.
Çështja e pronave publike është e paraparë edhe me Kushtetutë, me legjislacionin e BE-së, dhe Konventat ndërkombëtare, mirëpo deri tani nuk ka qenë e rregulluar me dispozita të veçanta.
Projektligji për pronën publike ndër të tjera synon të rregullojë çështjet si në vijim:
· Rregullimi dhe përcaktimi i të drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale;
· Përcaktimi i parimeve të administrimit me pronën publike në pikëpamje të disponimit, shfrytëzimit, menaxhimit, mbrojtjes, mbikëqyrjes, vlerësimit dhe evidentimit të sendeve dhe të mirave tjera në pronësi publike
· Përcaktimi i objektit të pronës publike.
· Themelimi i një institucioni kompetent për mbikëqyrjen dhe administrimin e pronës publike nga organet e pushtetit qendror.
Pas hyrjes në fuqi të tij, i njëjti do të prodhojë efekt tjetër të rëndësishëm, sikurse që do të ndalojë mundësinë e fitimit të pronësisë në pronat publike përmes parashkrimit fitues si dhe me ndërtimin e objektit, në kundërshtim me legjislacionin përkatës që rregullon të drejtën e ndërtimit dhe ndërtimin.