
Ministrja Haxhiu, në prezantimin e ekspozesë për strategjinë, tha se kjo është njëra nga proceset më serioze dhe më të detajuara dhe më gjithëpërfshirëse të adresimit të fenomenit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave në Kosovë. “Duke qenë e tillë, ajo natyrisht se ka një kosto buxhetore por duke qenë se kemi marrë zotimin e shumë partnerëve zhvillimor në Kosovë të cilët janë të interesuar të mbështesin zbatimin e një numri të konsiderueshëm të aktiviteteve të parapara në Strategji, ajo do të jetësohet", theksoi ministrja Haxhiu.
Strategjia që u prezantua është produkt i një diskutimi të gjatë dhe të hollësishëm dhe përkushtimit të grupit punues i përbërë nga anëtarë nga Ministria e Drejtësisë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Strategjia përmban katër objektiva strategjike që janë:
I. Parandalimi dhe identifikimi i dhunës.
II. Avancimi dhe harmonizimi i politikave publike me standardet ndërkombëtare.
III. Fuqizimi institucional
IV. Sigurimi i shërbimeve të përgjithshme dhe shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat.
Të gjitha këto objektiva strategjike përmbajnë objektiva dhe indikatorë specifikë për të matur arritjen e tyre gjatë viteve të ardhshme. Veç kësaj, Plani i Veprimit identifikon 140 aktivitete me të cilat synohet të përmirësohet situata gjatë viteve 2022-2024.