
Në një ceremoni të organizuar për nder të festave të fundvitit, nën patronatin e Ministrit të Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në të cilën kanë marrë pjesë ministra, ambasadorë, përfaqësues të EULEX-it, Zyrës së BE-së, gjykatave, prokurorive dhe përfaqësues të institucioneve tjera, është ndarë çmimin për drejtësi “ Heroi Sali Çekaj”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi tha:
“Ky takim shënon më shumë se festën e fundvitit, fillimisht duke shënuar rrugëtimin tonë për katër vitet që lamë pas dhe aspiratat për katër vitet e ardhshme, njëherit edhe ndarjen e çmimit për drejtësi për të gjithë ata të cilët kanë kontribuar për drejtësinë në vendin tonë.
Para katër viteve u pata drejtuar me fjalën time para jush se do ta ndërtojmë arkitekturën e drejtësisë, dhe do ti vendosim disa standarde në drejtësi. Sot pas katër viteve, e shohim se drejtësia në vendin tonë e ka një arkitekturë, ku kemi ligje të mira dhe moderne, kemi ndërtuar mundësit që të kemi gjyqtarë, prokurorë dhe njerëz të drejtësisë me dinjitet dhe me mandat të përhershëm dhe me qasje të jashtëzakonshme për të drejtat dhe dinjitetin e tyre.
Po ashtu, kemi krijuar kushte të veçanta për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, kemi nxjerr shumë ligje të cilat kanë garantuar dhe themeluar institucionet e reja, të cilat kanë ndihmuar drejtësinë, por edhe shërbimet e qytetarëve, duke ndërtuar kështu noterinë, ndërmjetësimin, arbitrazhin, përmbaruesit privat, administratorët falimentues dhe një varg institucionesh tjera, përfshirë këtu Institutin për Hulumtime të Krimeve të Luftës, Agjencinë për Administrimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, dhe po ashtu, kemi bërë Avokatinë e Shtetit dhe shumë institucione të cilat janë funksionale në vendin tonë. Kemi ndërtuar edhe objekte të përshtatshme për shumë institucione, shumë gjykata dhe prokurori, pallatin e drejtësisë, është ndërtuar Burgu i Sigurisë së Lartë, sektori për Dëshmitarë të mbrojtur, jemi në përfundim të Qendrës Korrektuese në Prishtinë dhe në Gjilan, besoj që këtë mandat do të fillojmë me ndërtimin e Qendrës edhe në Pejë dhe Prizren, me filozofinë time që burgjet duhet të hiqen nga qendra e qytetit.
Sot, pas katër vitesh, drejtësia është shumë më mirë se sa ka qenë dhe në këtë drejtim secili prej nesh ka meritën dhe kontributin e vet, por gjatë këtij rrugëtimi ka pasur edhe sfida, dobësi, e ndoshta në moment të caktuara edhe lëshime, mirëpo sot pas katër vitesh, mund të themi se ndoshta nuk jemi të vetëdijshëm për të gjitha zgjidhjet por jemi të vetëdijshëm për problemet të cilat i ka drejtësia në vendin tonë.
Moto e punës time për katër vitet e ardhshme do të jetë “besimi në drejtësi”. E dijë që qytetarët e këtij vendi kanë dëshirë të shohin gjyqtarë dhe prokurorë me dinjitet, profesional, të pavarur dhe të paanshëm, por edhe gjyqësor efikas dhe këtë do ta bëjmë që ta ndihmojmë në tërësi. Unë bashkarish me ju, do të punojmë që këta gjyqtarë dhe prokurorë të kenë dinjitetin, pavarësinë, paanshmërinë dhe efikasitetit. Përkrah pavarësisë do të rrisim edhe llogaridhënien. Kjo llogaridhënie do të jetë para qytetarëve të Republikës së Kosovës, para medieve me të cilët do të jemi shumë më transparent, kjo llogaridhënie do të jetë edhe para shoqërisë civile, si dhe do të jetë para secilit taksa pagues të Republikës së Kosovës. Po ashtu, jam i vetëdijshëm që kemi nevojë të punojmë, të nxjerrim ligje edhe më të mira, por njëkohësisht të kemi edhe gjyqtarë dhe prokuror më efikas dhe të fokusohemi në veçanti në çështjet civile, për këtë premtoj që gjatë këtij mandati do ta nxjerrim edhe Kodin Civil të Republikës së Kosovës.
Kam besim që Shërbimi Korrektues i Kosovës do ta luftojë nepotizmin, korrupsionin dhe do t’i luftojë kategorizimet pa leje, pa ligj, klasifikimet dhe transferet që bëhen brenda Shërbimit Korrektues. Për këtë premtoj se nga 1 Janari, çdo transfer do ta gjeni në ueb faqe të Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë këtu çdo klasifikim, apo kategorizim prej një qendra në qendrën tjetër brenda SHKK-së.
Po ashtu, do të jemi transparent në shpenzimet publike, sikur kemi qenë deri më tani, por do të vazhdojmë me një transparencë edhe më të lartë. Dhe unë besoj në secilin prej jush dhe bashkërisht do t’i bëjmë edhe qytetarët e Republikës së Kosovës të besojnë në drejtësi.
Zonja dhe zotërinj, në shërbim të drejtësisë kam qenë edhe pa qenë Ministër i Drejtësisë, kam qenë në shërbim për katër vite dhe do të jem në shërbim të drejtësisë për tërë jetën. Kam menduar që shërbimin për drejtësi mund ta bëjë edhe nga pozita tjera, pa qenë fare ministër dhe për këtë besoj se çdo qytetar dhe secili nga ju në këtë sallë mund t’i shërbej drejtësisë pa qenë ministër, megjithatë ndihem krenar, ballëhapur, por njëkohësisht edhe me përgjegjësi si Ministër i Drejtësisë për punët që na presin. E di gjithashtu, që bashkarish mund t’i ndryshojmë raportet me drejtësinë, raportet e besimit më të madh, angazhimit më të madh dhe efikasitetit më të lartë. Po ashtu, e dijë që secila kohë i ka heronjtë e vet të drejtësisë, nëse dje heroi i drejtësisë ka qenë heroi “Sali Cekaj”, i cili e ka dashur drejtësinë për ta fituar lirinë, unë them se liria nuk është e plotë pa drejtësi të plotë dhe të barabartë. Andaj, sot drejtësia jonë i ka heronjtë e vet, i ka prokurorët dhe gjyqtarët, i ka hetuesit, gardianët dhe studentët tanë të cilët punojnë dhe i besojnë drejtësisë.
Sot do të ndajmë çmime për ata të cilët edhe post mortem kanë kontribuar për drejtësinë. Ata të cilët jo vetëm që kanë mbrojtur individët, por kanë mbrojtur edhe të drejtën e vendit tonë. Do të ndajmë çmimin për prokurorët tanë dhe gjyqtarët që kanë dhënë një kontribut në ndërtimin e sistemit të drejtësisë. Do të ndajmë çmim për profesorët tanë që na bënë jo vetëm ta njohim drejtësinë, por edhe ta duam dhe ta respektojmë drejtësinë. Çmim do të ndajmë edhe për partnerët tanë ndërkombëtar duke marrë parasysh se kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me EULEX–in, Ambasadën Amerikane, Komisionin Evropian dhe të tjerët.
Ne kemi bërë dy tranzicione të EULEX-it dhe unë besoj me sukses. Ne kemi menaxhuar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, edhe këtë besoj e kemi bërë me sukses, kemi menaxhuar edhe dialogun në kuptimin e drejtës, apo drejtësisë edhe me Serbinë dhe besoj se me sukses do ta kemi edhe integrimin e veriut, dhe për këtë jam i vetëdijshëm se katër vitet e ardhshme, bashkarish do të besojmë në drejtësi dhe do ta fitojmë besimin e qytetarëve.
Besoj në ju gjyqtarë dhe prokurorë të nderuar, besoj në gardianët e vendit, në Policinë e Republikës së Kosovës dhe në të gjithë ata të cilët punojnë për drejtësi dhe katër vite nga sot, besimi në drejtësi do të jetë më i lartë.
Qofshim e dalshim faqebardhë edhe pas katër viteve para jush dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Paçi fat ju dhe familjet tuaja dhe të gjithëve na priftë e mbara.
Faleminderit”
Këtë vit ky çmim është ndarë për të gjithë ata të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë në drejtësinë e vendit tonë.
Me çmimin për drejtësi “Heroi Sali Çekaj”, u nderua:
Bajram Kelmendi, Post mortem, “Për kontributin e jashtëzakonshëm jetësorë për Drejtësi në Kosovë përmes punës së tij profesionale”.
Adem Bajari, Post mortem “Për kontributin e jashtëzakonshëm jetësorë për Drejtësi në Kosovë përmes punës së tij profesionale”.
Fazli Balaj, Post mortem, “Për kontributin e jashtëzakonshëm jetësorë për Drejtësi në Kosovë përmes punës së tij profesionale”.
Ish Kryeprokurori, Ismet Kabashi , “Për kontributin e jashtëzakonshëm jetësorë për Drejtësi në Kosovë përmes punës së tij profesionale në Sistemin Prokurorial”
Gjyqtari, Nebojša Boričić “Për kontributin e jashtëzakonshëm për Drejtësi në Kosovë përmes punës së tij profesionale në Gjykatën Supreme të Kosovës”.
Prokurori, Elez Blakaj “Për kontributin e jashtëzakonshëm për Drejtësi në Kosovë përmes punës së tij profesionale në Prokurorinë e Themelore në Prishtinë”.
Akademik, Esat Stavileci, “Për kontributin e veçantë në Drejtësi përmes punës së tij akademike dhe shkencore”.
Prof. Dr., Osman Ismaili, “Për kontributin e veçantë në Drejtësi përmes punës së tij akademike dhe shkencore”.
Prof. Dr., Nysret Gacaferri, “Për kontributin e veçantë në Drejtësi përmes punës së tij akademike dhe shkencore”.
Bernadetter Robberts – Zv. Shefe e Seksionit Politik në Ambasadën e SHBA në Prishtinë, “Për merita të veçanta në forcimin e sistemit të Drejtësisë në Kosovë”
Peter Bach – Shef i Divizionit për ngritje të kapaciteteve në EULEX, “Për merita të veçanta në forcimin e sistemit të Drejtësisë në Kosovë”.
Studentja, Ylberina Softolli “Për arritje te larta akademike dhe përfaqësim të Kosovës në konferenca ndërkombëtare”.
Çmimin për drejtësi iu është ndarë edhe bashkëpunëtorëve tanë në afërt, të cilët kanë ndihmuar në arritjen e një pjese të madhe të këtyre sukseseve : Zymer Jashari, Mbikëqyrës i Lartë Qendra Korrektuese Smrekonicë dhe Shukrije Mustafa, Oficere Korrektuese -Qendra e Paraburgimit, Lipjan.
Çmimi për Drejtësi “Heroi Sali Çekaj”, është çmimi më i lartë që jepet nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kontribut të jashtëzakonshëm për Drejtësinë në Kosovë, brenda apo jashtë vendit.