Në kuadër të takimit të nivelit të lartë në mes BE-së dhe zyrtarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, më 8 prill, nën Presidencën Polake, është mbajtur sesioni për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme.
Në sesionin për drejtësi, Republika e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë u përfaqësuan nga Shefi i Kabinetit dhe Këshilltari i Lartë i ministres, Genc Nimoni, si dhe drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane, Lulzim Beqiri.
Gjatë sesionit të dytë, atij për drejtësinë, është në veçanti është diskutuar për fuqizimin e sektorit të sundimit të ligjit, për dimensionin gjyqësor të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe bashkëpunimit ndër gjyqësor.
Mes tjerash z. Nimoni ka prezantuar rezultatet e deritanishme në këto fusha, hapat e ndërmarrë, si dhe janë prezantuar dhe është diskutuar për bashkëpunimin dhe rolin e shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në mbështetjen dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në veçanti, janë prezantuar arritjet me fokus në mbrojtjen e gjyqësorit.
Tutje në këtë sesion, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, gjithashtu prezantuan dhe diskutuan përkitazi me forcimin e mekanizmave të sinjalizimit si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve për qëllime të parandalimit dhe trajtimit të korrupsionit.
Njëkohësisht, temë e diskutimit ishte edhe dimensioni gjyqësor i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe bashkëpunimi me Eurojust.
Në këtë drejtim, Republika e Kosovës do të vazhdojë të punojë pa u lodhur në reformat për të ndërtuar një sistem ligjor të cilit njerëzit mund t’i besojnë një sistemi që mbështet drejtësinë, transparencën dhe sundimin e ligjit.
Në këtë takim, zyrtarët e lartë të rajonit, shkëmbyen praktikat më të mira në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe punët e brendshme.