
Ministrja Haxhiu theksoi se përmes këtij Projektligji, ndër të tjera, synohet që të bëhet rregullimi ligjor i ekzekutimit të sanksioneve penale, aplikimi i masave të trajtimit të detyrueshëm dhe aplikimi i masës së paraburgimit në institucionet korrektuese të Kosovës.
Një varg risish janë paraparë në këtë Projektligj, të cilat sjellin dhe afirmojnë standarde të avancuara në pikëpamje të të drejtave për personat e dënuar.
Ky Komision po ashtu diskutoi edhe për projektligjet tjera të paraqitura, të cilat kanë të bëjnë me Shërbimin Korrektues dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës.
Projektligji për SHKK ka të bëjë me përcaktimin e statusit, parimeve, përgjegjësitë, menaxhimin dhe organizimin e përgjithshëm të tij, përmes së cilit trajtohen në mënyrë më direkte aspektet që përkojnë me personelin korrektues, nevojat për trajnime, rekrutimin dhe gradimet, të drejtat e tyre, kushtet e punës, beneficionet etj.
Për herë të parë, SHKK parashihet me ligj të veçantë si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë me mandat dhe funksion specifik.
Edhe Projektligji për Shërbimin Sprovues me peshë po kaq të rëndësishme, u paraqit për shqyrtim në këtë Komision, për të cilin parashihet të rregullohet me ligj të veçantë si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me mandat dhe funksion specifik.
Bazuar në rëndësinë dhe nevojën par avancim të mëtutjeshëm të legjislacionit në fushën zbatimit të sanksioneve penale dhe masave alternative, Komisioni votoi të gjitha projektligjet e propozuara.