
Me këtë rast, zëvendësministri, Blerim Sallahu, ka prezantuar ekspozenë e Projekt Kodit të Procedurës Penale si dhe tri projektligjeve atë për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, Projektligjin për Provimin e Jurisprudencës dhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-017 për Ndihmë Juridike Falas.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, zëvendësministri Sallahu tha se Projekt Kodi i Procedurës Penale përveç amendamenteve të shumta teknike të cilat do ta bëjnë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës më efektive, ka adresuar dhe çështje tjera të cilat kanë të bëjnë me mundësinë e suspendimit të zyrtarëve publik me rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar, po ashtu janë përfshirë dispozita qe ndërlidhen me çështjen e mungesës së kontrollit të vendimit të prokurorisë për hedhjen poshtë të kallëzimit penal përkatësisht mbylljes së hetimeve.
Në mbledhjen e ekzekutivit, zëvendësministri Sallahu paraqiti edhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar për çka tha se dispozitat për shitjen e pasurive të konfiskuara me ligjin e mëparshëm nuk kanë qenë të konkretizuara mjaftueshëm sa i përket shitjes së pasurive të paluajtshme dhe dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara dhe kjo ka reflektuar si pengesë në realizimin e ankandeve për shitjen e pasurive të paluajtshme.
Po ashtu gjatë kësaj mbledhje është prezantuar edhe Projektligjin për Provimin e Jurisprudencës, përmes së cilit synohet krijimi dhe avancimi i infrastrukturës ligjore për ngritjen e cilësisë dhe rritjen e transparencës në fushën e jurisprudencës së kuadrove të reja që pretendojnë të punojnë fushën e sistemit të drejtësisë.
Zëvendësministri Sallahu theksoi edhe rëndësinë e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-017 për Ndihmë Juridike Falas, ku tregoi që ndihma juridike falas i ofrohet kategorive si: viktimave të dhunës në familje; viktimave dëshmitare të dhunës, të cilët janë në varësinë e viktimave të dhunës në familje; viktimave të dhunës në baza gjinore; viktimave të cilitdo lloj të dhunës seksuale, përfshirë dhe ngacmimin seksual; viktimave të trafikimit me qenie njerëzore; viktimave të mitur; fëmijëve që jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore, fëmijëve nën kujdestari që kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor; personave të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përben diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent sipas ligjit në fuqi për mbrojtje nga diskriminimi; si dhe, personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.