
Në fjalën e saj ministrja Haxhiu tha se mijëra gra dhe vajza, përfshirë burra e djem, iu nënshtruan përdhunimeve dhe abuzimeve seksuale nga pjesëtarët e forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Ministrja Haxhiu shtoi se ne duhet të njohim gjithashtu ndikimin e vazhdueshëm që dhuna seksuale ka tek të mbijetuarit dhe familjet e tyre. Plagët fizike, emocionale dhe psikologjike të dhunës seksuale janë të thella dhe afatgjate.
Në fjalën e saj Ministrja shtoi se të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë ende nuk kanë marrë drejtësinë e merituar.
Më tej Ministrja e Drejtësisë njoftoi se është duke u punuar në vazhdimësi në fuqizimin e institucioneve në mënyrë që t'i mbajmë autorët përgjegjës për veprimet e tyre, dhe të sigurojmë që të mbijetuarit të kenë qasje në mbështetjen dhe burimet që u nevojiten për të shëruar plagët, dhe për të rindërtuar jetën e tyre.
Duke vlerësuar rëndësinë e njohjes së statusit të viktimave seksuale, ministrja Haxhiu bëri thirrje të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës në Kosovë të aplikojnë për njohjen e statusit së tyre, dhe në këtë mënyrë të kenë qasje në mbështetjen shtetërore të ofruar nga institucionet e Kosovës për këtë kategori.
Po ashtu, u theksuar edhe fakti që tashmë Ministria e Drejtësisë ka finalizuar Strategjinë për Drejtësinë Tranzicionale e cila në kuadër të objektivave të saj adreson në veçanti ndihmën psiko-sociale për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.