Skip to content
Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur sot me 14 korrik 2021, janë aprovuar 4 propozime të Ministrisë së Drejtësisë

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur sot me 14 korrik 2021, janë aprovuar 4 propozime të Ministrisë së Drejtësisë

Prishtinë, 14/07/2021

Në mbledhje është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale. Miratimi i këtij projektligji do të mundësojë zbatimin më të lehtë dhe efikas të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale, lehtësimin e procedurave të ekstradimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe do ta avancojë legjislacionin në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtare në çështje penale, në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Shqyrtimi i Projektligjit për të Drejtën Ndërkombëtare Private ishte propozimi tjetër i miratuar përmes së cilit, synohet rregullimi i marrëdhënieve civile të natyrës familjare, trashëgimore, pronësore, sendore dhe tregtare me element të huaj, qoftë në subjekt, objekt apo në të drejta dhe detyrime. Tutje rëndësia e këtij projektligji është në atë se heqë nga rendi juridik një ligj ekzistues i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1983 dhe i cili ligj ishte zbatuar nga të gjitha ish republikat e Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën. Pra paradoksalisht ky ligj është ende në fuqi, ligj i cili nuk i përgjigjet rrethanave të reja politike, ekonomike dhe juridike të Republikës së Kosovës.

Dy propozimet tjera të miratuara në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë Marrëveshja për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Danimarkës si dhe Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Danimarkës për Transferimin e Personave të Dënuar.

Që nga themelimi i Shtetit të Kosovës, është hera e parë që Ministria e Drejtësisë ka arritur të nisë bashkëpunime të tilla me Shtetin e Danimarkës të cilat krijojnë bashkëpunim të ndërsjellë në një nivel tjetër në çështjet e tilla.

Skip to content